Çfarë të lexoni në pushime Për të celebruar nisjen e atij - TopicsExpress



          

Çfarë të lexoni në pushime Për të celebruar nisjen e atij që quhet sezoni i pushimeve, stafi ynë ka përgatitur një listë me disa nga librat tanë të preferuar për t’u lexuar gjatë stinës së nxehtë. Çfarë është veçanërisht e përshtatshme për t’u lexuar gjatë verës? Për ne është ai lloj libri që të mban mbërthyer me anë të historisë, pa qenë detyrimisht i një niveli të artë artistik dhe mbi të gjitha pa kërkuar vënien në punë të mendimit të thellë. Zgjedhjet tona janë tërësisht subjektive, por gjithsesi jeni të lirë të përfitoni nga sugjerimet. “Histori dashurie” – Erich Segal Pas përfundimit të Harvardit, Segal publikoi këtë histori, që me kalimin e viteve u kthye në kult. Në të njëjtin vit, libri u përshtat për ekranin e madh, që rezultoi në një nga prodhimet më të mëdha të asaj dekate. Shprehja e librit “Dashuri do të thotë të mos thuash kurrë më fal” u bë e famshme që atëherë. “Kodi Da Vinçi“ – Dan Brown Për çudinë e akademikëve, pas shfletimit të disa fletëve të librit, kuptuan se “Kodi Da Vinçi” ishte një libër për jetën sekrete të Jezusit. Por, gjithsesi, Brown nuk po shkruante për akademikët. Romani, edhe pse u kundërshtua për burimet e informacionit, shiti mbi 50 milionë kopje. Një triller që të lë pa frymë, i përshtatshëm për ditët e gjata të verës. Trilogjia “Milenium” - Stieg Larsson Seria “Milenium” – që ka në qendër një dyshe të pazakontë hetuesish: një gazetar investigativ dhe një vajzë hakere – ishte libri që shihje rëndom nëpër duart e njerëzve në Europë, në kohën kur tre vëllimet panë dritën e botimit. Tre vëllime me një seri ngjarjesh që ndjekin njëra-tjetrën: krim, dhunë, dashuri, miqësi – libri u kthye në hit. Gatsbi i madh – Francis. S. Fitzgerald Klasiku i madh amerikan njohu një bum shitjesh muajt e fundit, falë ekranizimit ekstravagant hollivudian, ku Leo Di Caprio portretizoi Xhei Gatsbin. Një histori e bukur, romantike dhe e trishtë, një përshkrim fantastik i Amerikës së viteve ’20, me festa pa fund, alkool dhe femra. “Me nisjen e asaj feste në shtëpinë e Gatsbit kuptova se do të ishte një verë e gjatë” – thotë rrëfimtari. Princesha - Jean Sasson Një libër ndryshe, një libër që femrat e Perëndimit duhet ta lexojnë patjetër, ne mos për gjë tjetër, edhe vetëmn për të kuptuar se, pavarësisht shqetësimeve dhe problemeve të secilës, krahasuar me gra në pjesë të tjera të botës ato duhet ta konsiderojnë veten me fat. I shkruar nga një gazetare, pa ndonjë vlerë të madhe letrare, libri jep një pasqyrë të dhimbshme të grave të Arabisë Saudite. Nga njëra anë shkëlqimi dhe pasuria marramendëse dhe nga ana tjetër dhunimi, përdhunimi, përçmimi i seksit femër. Parajsë sigurie – Nicolas Sparks Një libër tipik për në plazh. Ashtu si historitë e tjera të Sparks, kjo është një ngjarje e thjeshtë, një lidhje dashurie e përndjekur nga hijet e së kaluarës. Dashamirësit e librave rozë do ta vlerësojnë patjetër. Një verë pa burra - Siri Hustvedt Vetëm titulli mjafton që ky libër të ketë vendin e merituar në valixhen e udhëtimit . I burgosuri i qiellit – Carlos R. Zafon Një sukses ndërkombëtar, “I burgosuri i qiellit” është libri i duhur për të gjithë të apasionuarit pas ngjarjeve të misterit. Barcelona e viteve ’50 i jep librit një tis romantizmi. Konti i Monte Kristos – Aleksandër Dyma ose ... Në përgjithësi, të gjithë kanë një libër të cilin e duan në veçanti dhe që i rikthehen herë pas here leximit të tij. Për mua ky libër është “Konti i Monte Kristos”. Nuk është absolutisht libri më i mirë që kam lexuar – edhe pse ka një vend nderi në fondin e letërsisë botërore – e megjithatë është libri që kam lexuar më së shumti. Më është kthyer gati në traditë, që gjatë periudhës së verës t’i rezervoj një vend në listën e librave për të lexuar. Mbase karakteri aventurier i veprës, me përshkrime dhe detaje fantastike, nuk e bëjnë të mërzitshëm leximin e përsëritur. Pra, të fundit, nuk po ju rekomandoj “Kontin e Monte Kristos”, por atë libër që ju është i dashur më së shumti dhe që gjithmonë do t’ju lërë një shije të mirë me mbylljen e faqes së fundit.
Posted on: Mon, 24 Jun 2013 16:41:48 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015