ËSHTË I MJERË AI POPULL, ITINERARI I JETËS SË TË CILIT - TopicsExpress



          

ËSHTË I MJERË AI POPULL, ITINERARI I JETËS SË TË CILIT FILLON NË KUZHINË E MBARON NË WC. Duke qenë indiferent ndaj fateve të tij jetikë, populli ynë, i përçarë e i shtypur pa mëshirë, ka kaluar nga Humbja në Humbje qysh prej një shekulli e në vazhdim... Ja shkaku i falimentimit të popullit-turmë shqiptar, me një historik tragji-komik 100 vjeçar e me histori vetëm në kohën e Gjergj Kastriotit: I N D I F E R E N T Ë T Antonio Gramshi I urrej indiferentët e besoj, si Friedrich Hebbel, që « të jetosh, do të thotë të jesh aktivist» e që njerëzit e ndarë nga qytetërimi nuk mund të ekzistojnë. Kush jeton me të vërtetë nuk mundet të mos ketë qytetari dhe as të veçohet. Indiferenca është plogështi, parazitizëm e mungesë burrërie. Indiferenca nuk është jetë e për këtë unë i përbuz indiferentët. Indiferenca është pesha e vdekur e Historisë, është goditje plumbi për novatorin, është materia inerte që fundos shpesh entuziazmet më të ndritur në moçalet e kufomave të qytetërimit të vjetër, të cilin e ruan më mirë sesa muret e fortesave, më mirë sesa gjoksi i luftëtarëve të saj, mbasi ajo gëlltit trimat në thellësitë e tokës së etur, i dekurajon dhe ndonjëherë i bën edhe të tërhiqen nga ndërmarrja e tyre heroike. Indiferenca vepron fuqishëm në Histori. Ajo vepron në mënyre pasive, por ajo vepron. Ajo është fataliteti. Ajo është e tillë që të lë pa mbështetje. Ajo është e tillë, që të çorganizon programet, t’i përmbys planet e ndërtuar më së miri; është materia e papërpunuar që rebelohet me inteligjencën dhe e ndrydh atë. E keqja më e madhe që buron prej saj është se në vend që të ketë përfitim nga një akt me vlera të mëdha për njerëzimin, ka humbje, për shkak të indiferencës së një grupi që vepron me mospjesëmarrjen e tij, me mungesën e tij numerike … Ajo çfarë ndodh, nuk ndodh për shkak të një numri njerëzish që shpreson që kjo të ndodhë, por për shkak të kësaj mase që ligështohet e heq dorë nga vullneti, që veçohet e i lë gjërat në dorë të fatit, që tërhiqet dhe lejon të lidhen të tilla nyje, që vetëm shpata mund ti shbëjë, që lejon shpalljen e ligjeve që mund t’i shfuqizojë vetëm rebelimi, që lejon të mbërrijnë në pushtet të tillë njerëz që vetëm një kryengritje mund t’i përmbysë. Fataliteti që duket sikur dominon Historinë, nuk është asgjë tjetër veçse pamja e gënjeshtërt e kësaj indiference, e kësaj mungese. Shumë prapaskena gatuhen në hije. Një numër i vogël njerëzish mund të veprojnë jashtë normave të kontrollit, duke ndryshuar strukturën e jetës së komunitetit, në nje kohë që masa tjetër e injoron këtë veprim dhe as që e vret mendjen të lodhet për një gjë të tillë. Fatet e një brezi mund të manipulohen për shkak të vizioneve dhe koncepteve të kufizuara, qëllimeve të çastit apo ambicieve dhe pasioneve vetjake të një grupi të vogël njerëzish, në një kohë që masa tjetër i injoron ato e as do t’ia dijë për pasojat. Por e keqja është se faktet dalin në skenë pasi janë pjekur dhe vetëm atëherë, kur pëlhura e endur në hije është përfunduar… e pastaj duket sikur është fataliteti ai që shkatërron gjithçka dhe të gjithë, duket sikur Historia nuk është gjë tjetër veçse një fenomen i jashtëzakonshëm natyror brenda të cilit ne jemi të gjithë viktima, dashje pa dashje, me ose pa dëshirën tonë, me ose pa dijeninë tonë, edhe nëse kemi vepruar apo kemi qenë indiferentë. Dhe së fundi, kjo masë njerëzish inatoset, dëshiron të shpëtojë nga pasojat, duke kërkuar se kush është fajtori e duke i larguar përgjegjësitë nga vetvetja. Disa madje ankohen me devocion, të tjerë mallkojnë në mënyrë të turpshme, por asnjëri prej tyre nuk i bën pyetjen vetes: «në qoftë se do ta kisha kryer edhe unë detyrën time, apo në qoftë se do të kisha provuar ta pohoja dëshirën time, këshillën time, a do të kishte ndodhur vallë kjo që ndodhi»? Mirëpo askush, ose pak njerëz, mund të fajësojnë veten se kjo ndodhi për shkak të indiferencës së tyre, skepticizmit të tyre, apo pse ata nuk ia dhanë ndihmën në kohën e duhur atij grupi me ndjenjë të lartë qytetarie që, me të drejtë, për të evituar të keqen, propozoi të luftonte për të fituar drejtësia. Pjesa më e madhe e tyre, përkundrazi, preferojnë të flasin për dështimin e idealeve, të programeve të shkatërruar përgjithmonë e banaliteteve të tjera të ngjashme me to. Ata rifillojnë kështu t’i shmangen plotësisht përgjegjësisë. Dhe kjo nuk ndodh vetëm se ata nuk i shohin qartë gjërat, ose nuk janë në gjendje të gjejnë zgjidhje për problemet më urgjente. Problemi është se këto zgjidhje mbesin gjithnjë shterpë dhe se kontributi i tyre në jetën e komunitetit nuk animohet nga asnjë ndjenjë morale; ai është produkt i kuriozitetit intelektual dhe aspak një ndjenjë e fortë përgjegjësie historike, e cila duhet të na përfshijë të gjithëve e që nuk pranon as agnosticizëm e as indiferencë, e cilitdo lloji qoftë. Unë i përbuz indiferentët edhe për arsyen se ankesat qaramane të këtyre «inocentëve të përjetshëm» më bezdisin. I kërkoj llogari secilit prej tyre për mënyrën sesi e ka kryer detyrën ndaj jetës për atë që ajo i ka falur e i fal çdo ditë, për atë që kanë bërë e për atë që nuk kanë bërë. Dhe e ndiej për detyrë të mos kem mëshirë për ta e të mos i ndaj lotët e mi me të tyret. Unë jam veprimtar; jetoj e ndihem burrëror në ndërgjegjen time, mbasi luftoj për lumturinë e së ardhmes, të cilën e ndërton e gjithë qenia ime. Dhe brenda saj, zinxhiri social nuk bazohet në një numër të vogël elementësh; brenda saj, asgjë që ndodh nuk është rastësi apo fatalitet, por është vepra inteligjente e një qytetari. Ndërgjegjja ime nuk mund të pranojë asnjë njeri që qëndron në dritare e bën sehir gjatë kohës që një numër i vogël njerëzish sakrifikohen e derdhin gjakun në këtë sakrificë. Atë që mbetet në dritare vetëm për të parë, që e ka mbushur jetën vetëm me atë pak gjë që mund t’i ketë ofruar aktiviteti i tij personal dhe që e zbraz zhgënjimin e tij duke poshtëruar të sakrifikuarin, atë që është përgjakur, vetëm pse sakrifica e tjetrit nuk ia ka përmbushur synimet e tij, - atë nuk mund ta pranoj. Unë jetoj. Unë jam një partizan, një mbështetës. Për këtë arsye, i përbuz të gjithë ata që nuk marrin pjesë. Pra, i urrej indiferentët. (Il Mondo di Domani)
Posted on: Fri, 25 Oct 2013 06:25:53 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015