..::Mënyra e pastrimit të shtëpisë nga prania e - TopicsExpress



          

..::Mënyra e pastrimit të shtëpisë nga prania e shejtanëve::.. _____________________________________ HALID IBËN SU`UD EL BULEJHID Pyetje: Nëse ndien sikur apo je i sigurt se në shtëpinë tënde ka prani të xhinnëve, çfarë duhet të bësh? Përgjigje: Lëvdatat dhe falënderimet i përkasin Allahut. Nëse ndien që shtëpia është e banuar ose në të ka prani të shejtanëve, duke u bazuar në shikimin e pamjeve të çuditshme, në dëgjimin e zhurmave të çuditshme apo në përmbysjen e gjendjes në shtëpi, atëherë njeriu duhet të shtojë në të përmendjen e Allahut, madje ta ngrejë zërin gjatë natës dhe ditës në mënyrë që të dëbojë djajtë prej saj, veçanërisht ta bëjë këtë kur hyn në shtëpi, në çfarëdo kohe qoftë, duke u bazuar në hadithin që transmetohet tek "Sahihu i Muslimit": “Kur njeriu dëshiron të hyjë në shtëpinë e tij dhe e përmend Allahun në hyrje dhe në fillimin e ngrënies, atëherë shejtani thotë: "Për sot nuk keni as vend fjetjeje dhe as ushqim." Ndërsa kur hyn në shtëpi dhe nuk e përmend Allahun, atëherë shejtani thotë: "E keni arritur vendfjetjen." E nëse nuk e përmend Allahun edhe në fillim të ushqimit, atëherë ai thotë: "E arritët për sonte vendfjetjen dhe ushqimin.” Nga shkaqet më të mëdha me të cilat kërkohet ndihmë në raste të tilla është leximi i vazh-dueshëm i sures Bekare, sepse ajo i dëbon shejtanët, duke u bazuar në fjalën e Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “Vërtet shejtani largohet nga ajo shtëpi në të cilën lexohet surja Bekare.” (Transmeton Muslimi.) I duhet kushtuar rëndësi leximit të saj dhe nëse nuk dikujt i lehtësohet diçka e tillë, atëherë së paku ta dëgjojë atë të incizuar. Gjithashtu nga shkaqet që dëbojnë shejtanët nga shtëpia është dhe thënia e tekbirit (Allahu ekber) në cepat e ndryshme të shtëpisë, ngritja e zërit me thirrjen e ezanit, sepse është përcjellë nga disa prej selefëve si diçka e pëlqyer, duke pasur parasysh se thënia e tekbirit ka një ndikim të hatashëm në dëbimin e shejtanëve, siç është saktësuar në hadithin e saktë që shejtani largohet nga xhamia kur dëgjon ezanin dhe ikametin. Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem kur hyri në Qabe filloi të bënte tekbir në cepat e saj. Nga mjetet e rëndësishme në dëbimin e shejtanëve nga shtëpia është edhe pastrimi i shtëpisë nga veprimet që nxiten nga shejtanët, siç janë veglat muzikore, shfaqja e fotografive apo skulpturave, prezenca e qenit, duke u bazuar në atë që transmetohet në dy "Sahihet", se Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Engjëjt nuk hyjnë në atë shtëpi në të cilën ka qen apo fotografi.” Xhibrili alejhi selam nuk pranoi të hynte në shtëpinë profetike sepse në të ishte një këlysh qeni nën shtratin e Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Kur u lajmërua Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem për këtë, e nxori këlyshin menjëherë jashtë. Nëse shtëpitë pastrohen nga mëkatet dhe në to mbizotëron përmendja e Allahut, atëherë janë të pranishëm në të engjëjt dhe zbret bereqeti e mirësia, sepse engjëjt e duan përmendjen e Allahut, adhurimin dhe dëgjimin e së vërtetës. Nga shkaqet e dobishme -me lejen e Allahut- për dëbimin e shejtanëve është spërkatja me ujë të fryrë me Kur’an, në të cilin është tretur kripë e trashë, duke spërkatur pragjet e dyerve, qoshet e shtëpisë dhe muret e saj, në mëngjes dhe n mbrëmje, veçanërisht në kohën e shpërndarjes së djajve në aksham. Nga shkaqet që dëbojnë shejtanët nga shtëpitë është edhe falja e namazeve dhe kryerja e veprave të shumta në to, sepse nëse banorët e shtëpisë e braktisin namazin në shtëpi, ajo shtëpi është e destinuar të shkatërrohet dhe rrënohet, të jetë e boshatisur si varret, duke u shndërruar në një vend të dashur për djajtë. Për këtë arsye Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Mos i bëni shtëpitë tuaja varreza." (Transmeton Muslimi.) Nga shkaqet që i dëbojnë shejtanët nga shtëpia është dhe mbajtja pastër, aromatizimi me erëra të mira dhe parfume të këndshme, veçanërisht erërat me tymra (temjan), sepse shejtanët nga natyra e tyre i duan papastërtitë dhe erërat e këqija, strehohen në vende të ndyra dhe në të njëjtën kohë i urrejnë erërat e mira. Për këtë arsye ka ardhur në Traditën Profetike ligjshmëria e kërkimit të mbrojtjes nga Allahu kundrejt djajve meshkuj dhe femra para hyrjes në banjë, siç tregohet në hadithin e Enesit radijAllahu anhu, i cili ka thënë: "Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, kur donte të hynte në banjë, thoshte: “O Allah, unë të kërkoj mbrojtje nga shejtanët femra dhe meshkuj!" (Muttefekun alejhi.) Nëse i vepron të gjitha këto shkaqe të dobishme (me lejen e Allahut) dhe megjithatë nuk ka ndryshuar asgjë në gjendjen e shtëpisë, përkundrazi vazhdon të jetë e kuptueshme që xhinët janë prezentë në atë shtëpi dhe nuk janë zhvendosur prej saj, madje vazhdon lëndimi në të, atëherë ndoshta zgjidhja më e mirë dhe më e sigurt për fëmijët e tu është që të transferohesh nga ajo shtëpi dhe të banosh diku tjetër sepse ajo shtëpi nuk është fatlume për të banuar në të, ndaj dhe rekomandohet që besimtari të çlirohet nga ajo shtëpi që nuk është fatlume, siç është transmetuar në hadith: “Nëse ka mungesë fati në diçka, atëherë kjo ndodh në tri gjëra: në lidhje me kalin (mjetin udhëtues), në lidhje me gruan dhe në lidhje me shtëpinë (vendbanimin)." (Muttefekun alejhi.) Allahu e di më së miri, salavatet dhe selamet qofshin për Muhamedin, familjen dhe shokët e tij! ________________________________________ Përshtati: Shuajb REXHA Tiranë (Shqipëri) Revista "Këshilla"
Posted on: Mon, 16 Sep 2013 10:36:15 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015