Faleminderit i dashur televizioni ynë mik “KAZSport”, që na - TopicsExpress



          

Faleminderit i dashur televizioni ynë mik “KAZSport”, që na transmetove ndeshjen jo vetëm në Kazakistan, po edhe në “Qemal Stafa”-n tonë, të cilën ju guxuat ta quanit edhe gërmadhë. Falë jush, të dashur miq kazakë, shumë prej nesh (shqiptarëve) që nuk patëm mundësinë të shkonim në stadium, mundëm të shohim “vjedhurazi” në internet ndeshjen e kampionëve tanë ndaj kampionëve tuaj, ndonëse me ndalesa dhe shkëputje të shumta. Sa bukur është kur kemi mundësinë të shijojme deri edhe ndeshje të kampionateve kineze e iraniane (për të parë Hamdi Salihin, Xhevahir Sukajn e Erion Bulkun kuptohet), por nuk shohim dot kampionët dhe nënkampionët e Shqipërisë me arritjet e të cilëve po krenohemi kaq shumë. Ju miq minatorë nga Kazakistani i largët, ndoshta nuk e dini se në Shqipëri ne organizojmë emisione të përvitshme si “Big Brother Albania”, ku hidhen miliona lekë për të siguruar një luks, të cilin ju as në ëndërr nuk e keni parë. Eh, ne shqiptarët jemi evropianë! Ne i kemi shndërruar televizionet tona në HD, që do të thotë cilësi e lartë dhe me këtë ne krenohemi fort. Stacionet tona televizive kanë një larmi që zor se e keni ju miq kazakë; kemi dhjetë telenovela turke që transmetohen njëherësh (dhe të gjitha thyejnë rekordin e njëra-tjetrës për nga shikueshmëria),por kemi edhe kanale që japin 24 orë sport, ama sport evropian si Kategorinë e Dytë të Portugalisë e të Tretën e Italisë (ju nuk e gëzoni këtë luks!). Megjithatë në “gërmadhën” tonë, aty në mes të begatisë që na rrethon, ne nuk kemi patur mundësinë të çojmë një kamera për të transmetuar as Skënderbeun, as Kukësin, sepse e merrnim me mend që ju nuk do të na linit në baltë. E ju jo vetëm që kishit dërguar kamera nga shteti juaj, por kishit sjellë edhe gratë e futbollistëve në stadium, duke dëshmuar që keni nisur të bëni hapa para drejt emancipimit europian. Shpresoj që të keni ngelur të kënaqur nga gazetarët tanë të pranishëm në stadium, të cilët jam i sigurtë që me mirësjellje të madhe ju kanë orientuar, juve të dashur kolegë kazakë, se ku të pozicionoheni në stadium. Urime Shaktarit tuaj dhe të fala Boratit! Marre nga : albaniansoccer
Posted on: Mon, 12 Aug 2013 22:39:34 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015