"Fëmijët shpesh kujtojnë se liri do të thotë të plotësosh - TopicsExpress



          

"Fëmijët shpesh kujtojnë se liri do të thotë të plotësosh të gjitha tekat, të bësh çfarë të duash, të kesh të drejtë të dëmtosh edhe të tjerët" Një gjuhë pa drejtshqiptim Dr. Ardian Klosi Shumica e nxënësve shqiptarë, por jo vetëm e nxënësve, e dinë se gjuha shqipe lexohet në bazë të parimit fonetik. Kështu edhe lexojnë nxënësit te ne, sidomos në shkollë fillore, kur ende nuk janë bërë (instinktivisht) të vetëdijshëm se tjetër është gjuha e shkruar dhe tjetër gjuha e folur. Prandaj këta fëmijë, të drejtuar kësisoj nga mësuesit e tyre, lexojnë si më poshtë: Liria Mbi të gjithë për lirinë kanë nevojë njerëzit. Fëmijët shpesh kujtojnë se liri do të thotë të plotësosh të gjitha tekat, të bësh çfarë të duash, të kesh të drejtë të dëmtosh edhe të tjerët.. (nga “Liria”, Leximi i klasës I, f. 106) Në të vërtetë ky tekst shqiptohet pa gjithë ë-të të cilat i kam shënuar me shkronja të zeza, pra: Mbi të gjith për lirin kan nevoj njerzit. Fëmijt shpesh kujtojn se liri do të thot (ose: tthot) të plotësosh (ose tplotsosh etj.) të gjitha tekat, të bësh çfar të duash, të kesh të drejt të dëmtosh edhe të tjerët (ose ttjert) etj… Mosshqiptimin e ë-ve jotheksore e kompenson te shqiptuesi në njëfarë mënyre zgjatja e zanores paraprijëse, pra diçka si kaan për “kanë” etj. Edhe nga ky shembull, kuptohet se drejtshkrimi i gjuhës shqipe, ashtu siç u vendos në vitin 1972, ashtu siç është pohuar edhe nga vetë autorët e tij Kostallari, Çabej, Domi etj. (shih “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, Tiranë 1973, f.7-8), nuk mbështetet vetëm mbi parimin fonetik, dmth. një shkronjë = një fonemë, por edhe mbi parimin morfologjik (p.sh.: t’i ruajmë mbaresat e rregullta gjatë një zgjedhimi, edhe kur –ë nuk shqiptohet) ose mbi parimin historik (p.sh. shkruajmë dhëndëri, edhe pse te fjalët e tjera më –ër kjo –ë bie kur r pasohet nga një zanore). Për të pasur parasysh se ç’ndodh me një gjuhë kur ruhet parimi historik dhe ai morfologjik në drejtshkrim, kujtojmë frëngjishten ose anglishten, në të cilat drejtshqiptimi ndryshon bukur shumë nga drejtshkrimi; sjellim këtu për frëngjishten edhe vetëm shembullin e Ferdinand de Saussure-it që vëren se te një fjalë si oiseau “zog” asnjëra nga shkronjat nuk pasqyron asnjërën nga fonemat, pasi kjo fjalë shqiptohet “uazo”. Është krejt e qartë pra, se parimi një shkronjë = një fonemë nuk na mjafton për ta shqiptuar drejt edhe vetëm shqipen standarde, atë që mësohet në shkolla dhe përdoret në shtyp, administratë etj., pale për të lexuar tekstet tona letrare, sidomos ato të traditës. Dhe është krejt e qartë që nxënësit shqiptarë do ta kishin merituar prej vitesh një “Drejtshqiptim të gjuhës shqipe”, sikundër u premtua në vitet ’70-’80 të shekullit të kaluar nga akademia jonë, por që nuk u realizua asnjëherë deri më sot. Pasoja e kësaj mosdijeje, për një dije që në thelb mjaft të thjeshtë, është leximi i keq te fëmijët tanë, humbja e tingëllimit origjinal në poezi e pjesë shumë të bukura në prozë, tek e fundit ftohja dhe tëhuajëzimi i brezit më të ri prej pjesëve letrare që ofrohen në tekstet shkollore. Kjo sjell ftohjen e përgjithshme ndaj bukurisë tingëllore të shqipes, humbjen e pasionit për lexim... dhe gjithë të tjerat që mund të merren me mend. Por problemi nuk mbetet vetëm tek fëmijët, pasi kam vënë re se vështirësi të mëdha, në mungesë të vetëdijes së drejtshqiptimit, kanë gjithë shqiptarët, gjuha e të cilëve është pak a shumë larg nga standardi i vendosur më 1972, pra në radhë të parë ata që përdorin në familje e në shoqërinë e ngushtë dialektet gege. Kam vënë re kështu shumë kosovarë, të cilët në përpjekje për të folur një gjuhë standarde “të pastër” i shqiptojnë “ë”-të në mënyrë të tepërt e të panevojshme, pikërisht si nxënësit e shkollave që përmenda më lart. Po kjo gjë ndodh me diftongjet ua dhe ie e me një numër fonemash a togfonemash për të cilat drejtshkrimi ka dhënë zgjidhjen “toske”. Sikur të ekzistonte një udhëzues i tillë që do të ishte “Drejtshqiptimi i gjuhës shqipe”, në të cilin të theksohej, përveç rasteve më të rëndësishme të shmangies së shqiptimit nga shkrimi, edhe fakti i thjeshtë se drejtshkrimi ynë është mbështetur kryesisht mbi një toskërishte të moderuar, le të themi siç e ka zona e Korçës ose e Fierit (ashtu sikurse e di çdo gjermanishtfolës se ndër gjithë dialektet gjermanishtja e zonës së Hanoverit i afrohet më shumë standardit letrar), atëherë nuk do të kishin vështirësi në shqiptim as nxënës e mësues bashkë, as shqiptaroveriorët që do të mundoheshin ta shkërbenin sa më mirë këtë toskërishte të moderuar. Kusuret e ë-së drejtshkrimore Aspekti tjetër i rëndësishëm, kur flasim për mundësinë e përmirësimit të standardit tonë, është reformimi i vetë drejtshkrimit të shqipes. Janë një numër zgjidhjesh, mendoj (por që kam vërejtur se kështu mendojnë edhe një numër kolegësh), të cilat ose nuk kanë qenë të mira që në krye të herës, ose kanë dalë të tilla me zhvillimin e gjuhës në tre e më shumë dhjetëvjeçarët e fundit. Le të qëndrojmë tek ë-ja e patheksuar, drejtshkrimi i së cilës i shkakton dhimbje koke çdo shqiptari që ulet të shkruajë. Shkruhet amtar apo amëtar, gjithçka apo gjithëçka, vetëvetor apo vetvetor, malësor apo malsor e kështu me radhë? Nuk njoh asnjë njeri, përveç redaktorëve profesionistë ose disa mësuesve të gjuhës, që t’i shkruajnë siç i do drejtshkrimi rastet e vështira dhe të shumta të ë-ve të patheksuara. Të gjitha vështirësitë vijnë nga fakti se autorët e drejtshkrimit të 1972-shit këtu më njërën anë nuk e ndoqën parimin fonetik (dhe praktikisht nuk mund ta ndiqnin në mënyrë konsekuente), por më anë tjetër edhe përzierjen e tij me parimin morfologjik ose historik shpesh e bënë në mënyrë alogjike, me përjashtime e me kundërthënie të shumta. Kështu, në fjalët e përngjitura me gjithë e me kurrë do ta lëmë në shkrim -ë-në kur fjala është emër, por do ta heqim kur kemi ndajfolje, lidhëz, përemër të pakufishëm etj., pra do shkruajmë gjithkush, kurrfarë etj. Si ta mbajë mend përdoruesi normal që nuk është profesionist gjuhe një rregull të tillë? Nga ta dijë që duhet shkruar gjithfarë, por i gjithëfarshëm? Ose shkruajmë tëharr, tëholl por shkruajmë arsye, shkruajmë pastrim por duhet të shkruajmë motërim, shkruajmë përgënjeshtrohem por duhet shkruar gjendërohem, dhëndërohem etj. etj. Te fjalët e përbëra me vetë nuk shkruhet ë-ja vetëm kur vetë përsëritet dy herë (! pse rregull është ky?), pra duhet të shkruajmë vetëvendos dhe vetvetor... Sikur të mos mjaftonin ë-të e shumta që kanë fjalët e parme, të cilat i ruajnë ato edhe kur kthehen në fjalë të prejardhura, hartuesit e drejtshkrimit të 1972 kanë shtuar edhe ë të tjera aty ku bashkohen fjalë të parme, që këtë ë nuk e kanë, me fjalë a prapashtesa të tjera. Prandaj duhet të shkruajmë armiqësi, mjekësi, ndërkombëtar, zdrukthëtari etj. etj., por nuk mund të shkruajmë oborrëtar ose shkakëtar sepse këto duhen pa -ë. Nga gjithë kjo ngatërresë, askush nuk e kupton pse p.sh. duhet të shkruajmë nevojëshumë ose nevojëmadh dhe më anë tjetër nevojtar dhe nevojtore. Me plot të drejtë Martin Camaj, Arshi Pipa e të tjerë, standardin e krijuar më 1972 e quajtën gjuha “të-të-të”, cok për shkak të arsenalit të stërmadh në ë që kërkon kjo gjuhë në të shkruar. U ndala këtu vetëm në problemet që sjell zanorja (ose gjysmë a çerekzanorja) ë në drejtshqiptim dhe në drejtshkrimin ekzistues. Por natyrisht problemet shtrihen edhe në zgjidhje që janë gjetur për fonema a kombinime të tjera. Shoqëria jonë i ka të gjitha kushtet që të përmirësojë kodin e shkrimit të saj, bashkë me krijimin e një kodi të përgjithshëm të drejtshqiptimit. Edhe gjuhë me histori shkrimi dhe drejtshkrimi shumë më të gjatë se tonat, bie fjala gjermanishtja, guxojnë në ditët tona të vendosin norma të reja, përderisa ato ndihmojnë në thjeshtimin dhe lehtësimin e komunikimit. Vetëm se këto zgjidhje duhet të bëhen me një konsensus të përgjithshëm, ku të pjesëmarrin njerëz të kulturës, shkrimtarë, gjuhëtarë, pedagogë etj., qoftë edhe pas një rilevimi të kujdesshëm të gjendjes së sotme të folur të shqipes. Askush nuk mund të ketë më sot monopol në zgjidhje kaq të rëndësishme për të gjithë pjesëtarët e kombit, më pak nga të gjithë zyrat shtetërore që i patën në të kaluarën. Marrë nga "Shekulli" Shtuar: Mërkurë, 12 Tetor 2005 Dërguar nga: Muhamet Muriqi Linku relatues: Një gjuhë pa drejtshqiptim
Posted on: Sat, 06 Jul 2013 13:03:37 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015