Këto ditë mësuam nga mediat për shkarkimin e gjeneralit - TopicsExpress



          

Këto ditë mësuam nga mediat për shkarkimin e gjeneralit Sandër Lleshi me motivacionin –sipas vete të larguarit nga detyra – e paragjykimit fetar. Ose, me saktë, një forum në Kanada i ka kërkuar institucioneve më të larta të shtetit shqiptar për ta “ndëshkuar” gjeneralin! Arsyeja? Një fjalë e papërshtatshme e pohuar nga z. Lleshi në artikullin NATO, aleanca jonë, botuar në Panorama (01.04.2013), konkretisht fjala --------«Haleluja»,------- e cila ndjek pohimin se «Kufiri 1000-vjeçar u fshi nga harta, në një farë mënyre ai u zhvendos drejt lindjes» dhe tani «Shqipëria nuk është më në kufi të botës, por në mes të saj». Pa dashur të komentojmë kompetencat historiografike të gjeneral Lleshit, që i ka shprehur edhe në një libër-replikë ndaj Oliver Schmitt-it, të recensuar nga një tjetër ekspert i historisë mesjetare, z. Mark Marku, termi «Haleluja» është natyrisht i ambienteve fetare, por nuk është hera e parë – e as do të jetë e fundit – që terma biblikë bëhen pjesë e fjalorit të shtetarëve. Mbase gjenerali duhej të ishte më i kujdesshëm në fjalor, por largimi nga puna me këtë motivacion krijon precedentë të rrezikshëm sepse i mohon individit identitetin fetar të sanksionuar me kushtetutë. Natyrisht, gjithmonë nëse motivacioni është ky, pasi as vetë z. Lleshi në intervistën e botuar në MAPO nuk është i qartë në shpjegime, porse aludon rreth viktimizimit fetar. Sidoqoftë, ne nuk besojmë aspak në hipotezat e motivacionit fetar, deri sa këto nuk vërtetohen nga vetë personi që ngre akuza të tilla. Përndryshe nuk do ta kuptonin si është e mundur që praktikantja Jozefina Topalli mban postin e Kryetares së Parlamentit; që presidenti Alfred Moisiu qëndroi i palëkundur në postin e tij pas ofendimit publik të qytetarëve myslimanë duke i konsideruar të krishterë me lustër (lëkurë) islame, me gjithë peticionet dhe kritikat e forumeve islame apo ndonjë degë të KMSH-së. Nëse do të ndiqnim logjikën e përdorur nga Ardian Ndreca – që z. Lleshi i doli në mbrojtje – në momentin e përjashtimit të një studenteje nga universiteti i Durrësit për shkak të shamisë, duhej të kishim një tablo tjetër. Ai pohonte se «kur shteti asht i dobtë dhe mendimet nuk janë të qarta, atëherë dalin në pah idetë dhe nismat antikushtetuese që minojnë themelin demokratik të ndamjes mes besimit fetar dhe shteti», pasi shkolla «shtetnore e të gjitha niveleve në Shqipni asht laike, pra nuk mund të përdoret [...] për shpalosjen e simboleve fetare të çfarëdolloji». Pra, simbolika fetare konflikton me laicizmin kushtetues të shtetit tonë. Ajo simbolika që shpalos deputetja Mesila Doda në ambientet laike të shtetit tonë a nuk është fetare? Po emërtimet klerikale që bartin shkollat dhe institucionet e tjera laike të vendi tonë? Po simbolika fetare e ekspozuar nëpër kodrat dhe malet e shtetit laik? Kemi një kryeministër që vrapon të marrë bekimin e papës, një ambasadë shqiptare në Romë që nën drejtimin e Llesh Kolës ngjasonte me ambasadën e Vatikanit, një koalicion qeverisës ku kandidon partia demokristiane… Vërtet Ndreca, në artikullin mbrojtës të gjeneralit, deklaron që «lirimi nga detyra i personave që i kanë shërbye vetëm institucioneve republikane asht hakmarrja e pastër e Berishës ndaj çdo njeriu që ven Shtetin përpara interesave të tija të ulta klanore dhe asht nji arsye ma tepër për mos me e votue ketë individ», duke e kërcënuar kështu Berishën me ndëshkimin e votës së “Hyllit”, por i njëjti autor publicizon kudo që mundet figurën e Jozefina Topallit, pa kursyer ndonjë përshkrim persekutimi ndaj saj në PD. Kjo nënkupton qartë se zëdhënësi Ndreca e konsideron partinë demokratike si shprehje e një shumësie interesash ku gërshetohen haptazi edhe të tijat. Atëherë, për çfarë persekutimi flitet? Gjeneral Lleshi mund të ketë 1000 arsye për t’u revoltuar, por, për hir të peshës së titullit që ka, duhet të jetë me i matur dhe serioz në deklarata të tilla: analogjia me memorien e Zef Pllumit mbi gjyqet komuniste duket një tentativë gazetarekse viktimizimi. Të mos e lejojë veten të bie viktimë e mediave tip gazeta Tema që prej kohësh zhurmojnë daullet e përplasjes fetare, madje edhe në Ministrinë e mbrojtjes. Para ca muajsh gazeta Tema shkruante se Xhemal Gjunkshi «harron dhe katolikët në emërimet e reja dhe në prioritetet e ushtarakëve, mesa duket çorba e Turqisë dhe myslimanizmit i rri ende në stomak e kundërmon bindje antifetare duke qenë kundër ambasadës amerikane, Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Sandër Lleshit». Por vetë gazeta(ri/rja) harron se ndër të shkarkuarit, lëvizurit dhe mënjanuarit janë edhe Agron Zeqo, Riza Shiqiruka, Adem Halili, Durim Islami, Selim Troci, Xhevdet Zeneli, Artan Meçe, Agim Lala, Elez Sakti, etj. As ipeshkvi Rrok Mirdita nuk e besoi motivacionin fetar; as në reagimet e Mark Markut dhe Ardian Ndrecës nuk ka qoftë më të voglën gjurmë mbi persekutimin fetar të propozuar nga gjenerali. E memoria tregon se këta nuk janë njerëz që sjellin faqen tjetër: kur u imitua papa Gjon Pali II, për shembull, u lëshuan “anatema” ndaj aktorëve dhe skeçit, të atilla sa tërhoqën drejtorin e RTVSH në një situatë që na kujtoi Henrikun e IV, jo më të lejojnë largimin e një pretoriani për arsye fetare.
Posted on: Tue, 11 Jun 2013 18:08:29 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015