~ Majlinda Keta .... Abetarja e perbashket si neoshqiptarizma e - TopicsExpress



          

~ Majlinda Keta .... Abetarja e perbashket si neoshqiptarizma e shek 21. Lektore e Mendimit Politik Shoqëror Shqiptar në Universitetin e Tiranës Jam ndjerë shumë mirë me lajmin e fundit mbi Abetaren e Përbashkët Shqipëri – Kosovë dhe m’u duk ilaçi më i mirë për qetësimin publik mbi debatet shterpe mbi gjuhën shqipe dhe dialektet e saj dhe konkurrencës se është pika e gravitetit të kulturës shqiptare. Më çuditi fakti se pak ju kushtua rëndësi e për më tepër pak debate a opinione u dhanë apo jepen mbi këtë ngjarje kombëtare. Realisht kjo është 1 nga shumë ide që duhet të ushqejë Neoshqiptarizmën, që na duhet 2 shteteve, por 1 kombi drejt BE-së. Qysh prej 2004-ës jam kthyer në një partizane e referimit për vetëvlerësimin e vlerësimin e asaj që ndodh me ne dhe mes nesh tek NEOSHQIPTARIZMA e shek 21. Më pëlqen dhe i kthehem asaj Plejade të shkëlqyer të mendimtarëve të viteve ‘30-të dhe vazhdoj ta cilësoj si një gjenerator të ideve të sotme për integrimin brenda nesh dhe prej këtu drejt BE-së. “ Mbetem mbështetëse e tezës së z. Ndriçim Kulla “Riaktualizimi i Neoshqiptarizmës megjithëse në një periudhë tjetër historike, me ndryshime gjeopolitike dhe shoqërore, por me shumë probleme të brendshme të njëjta, që karakterizojnë sot jetën e shqiptarit, është kthyer në një domosdoshmëri.” (“Neoshqiptarizma, një model i braktisur”, Sh.B. “Plejadë”,2002, fq. 26. Ngjarja ndodhi, 2 qeveritë me 1 akt njoftuan, po ne ku jemi për frymën që duhet të krijojë edukimi dhe edukatorët? “Jemi më parë të shtetit dhe pastaj të vetvetes sonë, - u drejtohej Merxhani bashkëkombësve të vet. Vetëm gjysma e ditës është e jona, gjysma tjetër i përket shtetit. Andaj vendin e njeriut të thjeshtë duhet ta marrë Bashkatdhetari që ndjen se rron gjallërisht brenda dhe për jetën shoqërore të Shqipërisë”( 23) Vepra”, Branko Merxhani, Sh.B.”Plejad”, 2003, fq.340) “Realizimin e trajtimit shqiptar do ta fillojmë me shkollën edukuese” (N.KULLA, “Antologji e mendimit shqiptar”, Sh.B. “Plejad”,2003, fq.498) E nëse do të donim ta shprehnim këtë ide me anë të formulave të neo-shqiptarizmës, që Branko Merxhani hodhi në shtypin e kohës plot 80 vjet më parë mund të thoshim se: “Çështja arsimore është çështja më me rëndësi e një vendi, ajo përbën gurin filozofal të gjithë dinamizmës krijuese të brezit të saj të ri. Prandaj, që të fitojmë një shesh sa më të lartë mendor të gjithë shoqërisë, Shqipëria duhet të kthehet në një “fabrikë pedagogjike” me një aktivitet produktiv të pareshtur, që të kombinojë bashkë edukimin dhe reformimin e sistemit të saj arsimor”( Vepra, Branko Merxhani, Sh.B. “Plejad”, 2003, fq.74). Ishte një ide largpamëse për kohën, e ndoshta dhe utopike, pasi ende dhe sot, pyetja mund të hapë shumë debate. Vallë e kemi Shqipërinë një “fabrikë të tillë pedagogjike”? Vallë e kemi sot një prodhimtari të tillë pedagogjike të denjë për përpjekjen edukative që kërkon koha? “I gjithë qëllimi i edukatës, thotë Alfred Adler, njëri nga psikologët më të mëdhenj të shekullit XX, është të mbjellë në qenien shpirtërore të njerëzve, kurajon dhe ndjenjën kolektive” , pra, pikërisht dy gjërat që ka më shumë nevojë struktura sociale e shoqërisë shqiptare. Po vallë a i ka dhënë ende dhe sot shkolla shqiptare një qëllim të tillë edukimit të saj? Etapa e parë e organizimit të një jete mendore është zhvillimi i një lëvizje idesh mbi problemet shoqërore të një vendi, në majë të të cilave qëndron problemi arsimor, ose më mirë krijimi i një politike arsimore. E kur themi politikë arsimore, kemi parasysh një program teorie dhe veprimi, të ngritur mbi një truall shkencor, që ka për filozofi bazë psikologjinë dhe sociologjinë e shoqërisë sonë, dhe që përmban nga njëra anë një sistem teorik të kuptueshëm dhe nga ana tjetër një sistem ndërtimi dhe zbatimi të gjithë aktivitetit arsimor të vendit. E kjo për faktin e thjeshtë se nuk ka një “shkencë pedagogjike” që të ketë një formë të përbashkët praktike dhe mundësie arsimore që të arrijë të puthitet tek të gjithë popujt e të ndiqet prej tyre. Çdo popull, çdo shoqëri ka edhe problemin e vet shkollor. Vlera kombëtare dhe shoqërore e këtij problemi është e lidhur ngushtë me interpretimin sociologjik dhe me psiko-sintezën e veçantë të çdo populli. Madje, dhe vetë shfaqja e përgjithshme morfologjike e këtij problemi varet dhe udhëhiqet nga shkalla e zhvillimit themelor shoqëror, mendor, ekonomik dhe qytetërues që ka arritur çdo popull. Kjo është një nga shtyllat kryesore të realitetit pedagogjik që ka çdo qytetërim i qëndrueshëm. Në këtë perspektivë përpjekja pedagogjike përfaqëson një tendencë për transformimin, ndryshimin dhe zhvillimin e një reforme shoqërore, e cila që të vihet në lëvizje dhe zbatim lyp më parë kuptimin dhe thëthitjen e thellë të të gjithë nevojave të shoqërisë, si dhe një përpunim mjaft të përparuar për kohën dhe thellësisht shkencor të idesë së organizimit kolektiv, gjëra këto që nuk mund të arrihen kurrë, pa një “ndërgjegje ideologjike”, pa një “qytetërim të brendshëm” dhe pa “një kulturë kombëtare” Atëherë, nëse përballet me parime të tilla, kuptohet qartë se krijimi i një Politike Shkencore dhe Bashkëkohore Arsimore, është një problem goxha i vështirë që kërkon një debatim të gjerë ideor. E patën ndjenë këtë vështirësi e rrezik edhe Branko Merxhani me shokë, e u përpoqën ti përgjigjeshin me hedhjen e ideve për krijimin e një shkolle neo-shqiptare, ide këto që mund të rezultojnë mjaft të vlefshme për nivelin elitar dhe në rezonancë me mendimin më të përparuar të kohës që ato përmbajnë. Pasi kemi të bëjmë vërtet edhe sot me një pyetje të debatueshme nga pikëpamja shkencore: a kemi vallë një politikë arsimore tonën, d.m.th një politikë arsimore që t’i përshtatet shpirtit, karakterit, historisë dhe natyrës së shqiptarit? Në këtë pikë, nuk mund të mos përmendim një ide të vyer të këtyre formulave të hedhur që në vitin 1929 në faqet e “Demokracisë”. “Nëse do të ndjekim pas zbulimet më të reja pedagogjike dhe do të përfitojmë, pa shumë kundërshtime, nga mësimet e mjafta të përvojës së popujve të tjerë, atëherë Organizimi i Arsimit Popullor shqiptar nuk duhet të fillojë me shkollën fillore, d.mth. nga mosha gjashtëvjeçare e fëmijës, por që nga shkolla foshnjore”.( Vepra”, Branko Merxhani, Sh.B. “Plejadë”, 2003, fq.71) E përtej kësaj, një vizion për arsimin nuk mund të anashkalojë një strukturim dhe një qeverisje pedagogjike të veçantë para-shkollore. Madje këtë hap ata e quanin pikënisjen e çdo politike arsimore moderne. Një largpamësi e shkëlqyer kjo, nëse kemi parasysh që vetëm në këtë legjislaturë është vendosur si prioritet i Ministrisë së Arsimit, bërja e detyrueshme e shkollës foshnjore(Parashkollori për 5-6 vjeçarët) për të gjithë fëmijët shqiptarë. Po njëlloj largpamëse është edhe ideja e tij, që nisur nga përvoja më e përparuar gjermane, kërkonte vendosjen e moshës së arsimit të detyrueshëm deri në 18 vjeç. Sot kjo gjë është bërë evidente, por në kushtet e një Shqipërie analfabete, kjo ishte shenjë e një dije të thellë e një vizioni të jashtëzakonshëm të pikëpamjes së neo-shqiptarizmës për shkollën shqiptare. “Një aspekt i dytë themelor nga ku duhet të niset organizimi i sistemit tonë arsimor, shkruante Branko Merxhani në formulat e neo-shqiptarizmës është jo vetëm arsimimi, por veçanërisht edukimi, i kuptuar ky në gjithë thellësinë dhe vlerën e madhe qytetëruese dhe krijuese.” (Vepra”, Branko Merxhani, Sh.B. “Plejadë”, 2003, fq. 74) Madje, aq i madh ishte admirimi dhe theksimi që ata i jepnin edukimit saqë arritën të propozojnë që edhe Ministria e Arsimit të quhej Ministria e Edukimit. Sa e ngushtë dhe sinqertë duhet të jetë lidhja mes jetës dhe shkollës, kaq e ngushtë dhe brendshme duhet të jetë edhe simbioza e interesimi i çdo brezi reformues për edukatën. Një ide e tillë merr vlera të çmuara sidomos sot, kur objektivi më i madh që i parashtrohet shkollës shqiptare është të rrisë cilësinë e edukimit dhe produktit të saj pedagogjiko-edukues dhe karakter-formues. E nëse do të ndjekim vijën logjike të këtij arsyetimi, kushdo që i jep procesit të edukimit cilësinë më të madhe, e vendos suksesin e misionit reformues të një brezi të ri kryesisht tek zbatimi i një plani arsimor të studiuar mirë. E në këtë perspektivë konceptimi pedagogjik i neo-shqiptarizmës artikulohet nëpër disa hapa ose në përmbushjen e disa faktorëve, që në përgjithësi mund të projektohet ende dhe sot në krijimin e bazave të një pedagogjie të përshtatur mjaft mirë edhe me dijet e sotme bashkëkohore. Shfaqet kështu i rëndësishëm studimi i jetës shpirtërore ose më përpikmërisht i jetës psikologjikë të fëmijëve tanë, në mënyrë që të krijojmë një plan pedagogjik sa më shkencor e të volitshëm për ta. “Një pedagogji pa psikologji, një shkollë që nuk bazohet në njohjen e jetës psikike të fëmijëve të vet nuk mund të ekzistojë. Për rrjedhim, edhe një Plan Arsimor i shkollës sonë nuk mund të formulohet pa një studim analitik të psiko-sintezës së vendit dhe kombit shqiptar”( Vepra”, Branko Merxhani, Sh.B.”Plejad”, fq 71). Është ky një nocion inovator që do të qe mjaft i rëndësishëm për të hedhur edhe sot bazat e një plani veprimi arsimor kombëtar. Aq më tepër që pedagogjia më e përparuar e kohës pranon ekzistencën e një strukturimi të veçantë të shpirtit të nxënësit për çdo racë e kombësi, strukturë kjo psikike që në gjuhën e zakonshme njihet me termin “shpirti popullor”. Në këtë pikëpamje, vlera edukative e një populli, shkalla e qytetërimit të shoqërisë së tij, çka përbën edhe kulturën e tij kombëtare, janë vepra krijuese e strukturës shoqërore. Dhe qëllimi i fundëm i jetës shoqërore është që të krijojë një kulturë kombëtare. Po a e ka krijuar vallë shkolla e sotme një kulturë të tillë kombëtare? Vetëm një shkollë e bazuar në studimin e jetës psikologjike të fëmijëve të sotëm, ashtu siç e patën menduar atëherë edhe ideatorët e neo-ashqiptarizmës, dhe në studimin e strukturës psikike të veçantë të kombësisë sonë, do të arrijë të jetë një shkollë për edukatën shoqërore. Qëllimi i saj do të qe të vaksinojë brenda në shpirtrat e fëmijëve të sotëm idenë e shoqërisë, domethënë atë që i ka munguar kurdoherë shqiptarëve dhe ka shqiptarëve dhe kanë shkaku më i rëndë i të gjitha problemeve tona historike. Po sot, a e kemi strukturuar vallë planin pedagogjik dhe politikën tonë arsimore që të krijojë një shkollë për edukatën shoqërore? Besoj se krahasuar me parimet e Evropës së sotme mendësia shoqërore dhe ideologjia kombëtare janë dy cilësorët që lipset të korrigjohen e përmirësohen më tepër në strukturën e arsimit shqiptar. Kjo nënkupton drejtpërdrejt parimin që sistemi pedagogjik më i mirë dhe më i përshtatshëm për shkollën shqiptare, nuk mund të porositet e imitohet vetëm e vetëm nga Europa, ashtu siç është bërë deri më sot nga shumë formulues të politikave tona arsimore. “Nga Evropa dhe perëndimi, e vetmja gjë që mundemi dhe duhet të marrim patjetër është shkenca e saj, në tërësinë e vet, pedagogji, psikologji, filozofi edukimi e kështu me radhë. Mirëpo mënyrën e zbatimit të saj ne duhet të përpiqemi ta puthitim me mjetet e aktivitetit tonë shkencor, me konditat psikologjike, bio-gjenetike dhe sociologjike të vendit tone”( Vepra”, Branko Merxhani, Sh.B. “Plejadë”, fq. 79). Ja, pse edhe në këtë predispozitë urgjente për shoqërinë shqiptare siç është një shkollë edukuese, do të na vinte në ndihmë studimi i mendimit shqiptar të traditës, veçanërisht atij të viteve 30-të, përbën një alternativë ide-prurëse. Nga ana tjetër, pa një Filozofi Pedagogji të ngritur mbi dy shtyllat e psikologjisë dhe sociologjisë shqiptare nuk mund të ndërtohet asnjë politikë arsimore që të kristalizojë ndërgjegjen kombëtare dhe kolektive të brezit tonë të ri. Ja, pse duhet të nisemi urgjent nga mendimi shqiptar për ta tranformuar shkollën tonë një shkollë të aktivitetit, një shkollë të “edukimit krijues”, të lidhur ngushtë me jetën dhe realitetin shqiptar. Por ashtu siç parashtronte edhe neo-shqiptarizma, “dëshira e reformave radikale në jetën tonë edukative, pa siguruar përparimin dhe zhvillimin e mësuesve në pikëpamjen metodike e didaktive, do të mbetej një fantazim e bukur”(Vepra”, Branko Merxhani, Sh.B. “Plejadë”, fq. 67) Një komb nuk mund të jetë kurrë i sigurt për të ardhmen e tij pa organizuar një ushtri ideale e të fortë mësuesish. E në këtë përpjekje të vështirë, jo vetëm nga parashtrimi i nocioneve, ideve dhe vizionit përparimtar të neo-shqiptarizmës që sapo ilustruam, shfaqet vërtet aktual dhe i shfrytëzueshëm gjithë universi i mendimit shqiptar të traditës, i cili ushtron kështu imperativin e vet kategorik për gjithë shkollën tonë, që ta përthithë dhe përdorë në krijimin e mendësisë së vet shoqërore kombëtare dhe të përshtatshme me realitetin psiko-sociologjik shqiptar. Shkencat Shoqërore këtu e andej kufiri lipset që të jenë promotorët dhe novatorët e saj përmes kurajos dhe ndjenjës kolektive.
Posted on: Sat, 14 Sep 2013 08:21:22 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015