OPINION * NDERTIMET PA LEJE,KARSHILLEK PROKURORISE Nga Xhovani - TopicsExpress



          

OPINION * NDERTIMET PA LEJE,KARSHILLEK PROKURORISE Nga Xhovani Shyti E përfshirë në fushatën më të fundit institucionale, që ka në qendër ndërtimet e paligjshme, prokuroria shqiptare ka qenë e prerë në artikulimin e luftës pa kompromis ndaj tyre, duke kaluar deri në hetim të zyrtarëve që e kanë stimuluar praninë dhe përhapjen e një fenomeni të tillë. E etiketojmë si “fenomen” pasi, në ndryshim nga vendet e tjera, qoftë edhe fqinjët ballkanike, në territorin e Shqipërisë numërohet numër rekord ndërtimesh të paligjshme, domethënë që janë ngritur arbitrarisht prej personave, të cilët as që pyesin për ligjin. Sipas burimeve mediatike, mësohet se janë 400 mijë ndërtime të tilla antiligjore, të ngritura në zona të lakmuara të territorit të vendit. E dhëna 400 mijë u deklarua prej deputetit të partisë Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), z.Ylli Manjani, në emisionin “Top Show” të datës 24 shtator 2013, i cili, si zgjidhje përfundimtare të mosekzistencës së këtij fenomeni, kumtoi ndërhyrjen, prishjen e gjitha ndërtimeve punëprishëse. Të atyre ndërtimeve që janë pengesë për planet zhvilluese urbane, por edhe që i prishin punë qytetarëve të dëmtuar prej tyre. Por, z. Manjani la të nënkuptuar edhe luftën pakompromis që pushteti i ri, që rilindja shqiptare, duhet ta nisë për të mbjellë lindjen e një edukate të re. Të edukatës qytetare të respektimit të ligjit kushtetues dhe ligjeve që ndër këto vitet e ikura berishiste u bënë zhele. U katandisën si mos më keq, ngaqë i pari që doli jashtë tyre ishte më së pari vetë Sali Berisha, herë President e herë Kryeministër vendi dhe kryetar dinastik i PD-së, por edhe gjithë përbërësit e klanit të tij. Që të gjithë të dalë jashtë ligjit përgjatë më shumë se trembëdhjetë viteve të qenies në pushtet. E veçanërisht përgjatë tetë viteve të fundit, kohë që numëron dhe realizimin e më shumë ndërtimeve të paligjshme. E ndërtimeve, por edhe e shtesave të kateve të bëra duke anashkaluar organet zyrtare kompetente, që jo rrallë kanë luajtur rolin e mbrojtësit të ligjshkelësve. Në shumicën e rasteve kundrejt fitimit të të ardhurave antiligjore, të parave të pista, por edhe për të realizuar porositë e dhëna nga shtetarë e politikanë pozitlartë. Duke njohur këtë realitet, në përgjigje të betejës masive të ndezur, më së pari prej medias së pakompromis, Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, z. Adriatik Llalla hyri në të. Me vetëdije apo i imponuar, kjo s’ka kurrfarë rëndësie përballë faktit se bëhet fjalë për zhdukjen e një fenomeni që po bren pasurinë tonë të përbashkët. Pas disa prononcimeve të mëparshme, lidhur me fenomenin antiligjor, në një deklaratë ekskluzive për gazetën “Shqiptarja. com” (publikuar në numrin e saj të datës 25 shtator), z. Llalla ka shprehur në plotmëri vendosmërinë e institucionit që kryeson për të hetuar gjithë ata zyrtarë që kanë abuzuar me ligjin, duke lejuar, toleruar apo mospenguar ndërtimet pa leje në territor. Fjala është për inspektorët e Inspektoratit Ndërtimor, punonjësit e policive bashkiake dhe zyrtarë të bashkive, të cilët kanë shkelur ligjin. Madje në prononcimin ekskluziv, z.Llalla ka përmendur shpërndarjen e një qarkoreje në gjithë prokuroritë e rretheve, çka konfirmon fillimin procedural të nisjes së aksionit anti-ndërtime pa leje. “Unë kam dhënë një udhëzim të qartë për të gjitha prokuroritë. Madje është një qarkore që e kemi dërguar në të gjitha rrethet… Ne jemi të vendosur që të gjitha këto procedime të shkojnë deri në fund,” i ka pohuar në linjë telefonike gazetës “Shqiptarja. com”, Kryeprokurori, ndërkohë që shprehte optimizëm për suksesin e fashitjes së fenomenit në ditët në vazhdim. Kjo nisur nga fakti i deklaruar burokratikisht se: “… ka një koordinim të punës mes policisë, prokurorisë dhe pushtetit vendor për të mos toleruar ndërtime pa leje”. Pa dashur të vëmë në dyshim deklarimet zyrtare për t’i dhënë përgjigje efektshmërisë së tyre, po i referohemi të vërtetës që ofron realiteti kryeqytetas. Prej disa muajve njëzet familje të pallatit 90/1, që ndodhet në rrugën “Fortuzi” dhe janë pjesë administrative e Njësisë nr.9, kanë adresuar ankesa zyrtare për një ndërtim pa leje të bërë në katin e 11 të tarracës së godinës së tyre 10 katëshe. Ankimet e shumëhershme janë depozituar jo vetëm pranë Policisë Bashkiake të Tiranës, pranë kreut të saj Florenc Hoxha, madje dhe drejtpërdrejt tek kryebashkiaku Lulzim Basha, por edhe në komisariatin 3 që është përgjegjës për ruajtjen e rendit të kësaj njësie. Por, ndërkohë, nga banorët e godinës së dëmtuar ka edhe procedim në prokurorinë e Tiranës. Procedim ndaj shkelësit të ligjit, që ka ngritur shtesën e katit, dhe që, falë suportit mbështetës brenda pushtetpolitikës, jo vetëm ka devijuar hetimin, por ka stimuluar vazhdimin e ndërtimit antiligjor drejt përfundimit. Bile dhe bërjen e karshillëkut ndaj denoncuesve të rastit në organin e prokurorisë së Tiranës që, në vend të mbyllë sa më parë hetimet dhe të ndëshkojë ligjshkelësit zyrtarë, që kanë stimuluar këtë ndërtim, i njofton paditësit se i zoti i këtij ndërtimi pa leje është i gatshëm t’i dëmshpërblejë. Dhe megjithëse edhe strukturat përgjegjëse të Bashkisë së Tiranës, që nga kreu i Rajonit nr. 9, ish- futbollisti Indrit Fortuzi, e deri tek krerët e policisë bashkiake dhe asaj ndërtimore, përkatësisht Vullnet Topalli e Florenc Hoxha, janë pjesë e njoftuar e kësaj maskarade, të anashkaluar nga interesa influence, përsëri vazhdojnë të qëndrojnë të patrazuar nga organi i hetimit. I organit të prokurorisë, të drejtuar prej z. Llalla, deklarimet e mësipërme të të cilit janë mediatikisht impresionuese, por realisht propagandë. Vetëm propagandë që vlen për të ngjallur optimizmin qytetar, por jo për t’i dhënë fund fenomenit të zaptimit antiligjor të territoreve, fenomenit që për çdo ditë po vret pjesë të pasurisë sonë kombëtare, pra të pasurisë sonë të përbashkët. *Botuar ne gazeten TemA,shtator 2013
Posted on: Tue, 01 Oct 2013 14:20:00 +0000

Recently Viewed Topics




© 2015