SOT, PËRKUJTOHET 100-VJETORI I LINDJES SË PETRO MARKOS - TopicsExpress



          

SOT, PËRKUJTOHET 100-VJETORI I LINDJES SË PETRO MARKOS TIRANË, 25 Nëntor/ATSH/.- Dita e sotme shënon 100-vjetorin e lindjes së Petro Markos, njeriu të letrave që përfaqëson në kulturën dhe letërsinë kombëtare personalitetin e përmasave të mëdha me shpirt e mendje të paluhatur para çdo stuhie. Petro Marko ishte shkrimtari që hapi hulli të reja në prozën shqiptare, prozë e asfiksuar nga metoda zyrtare e realizmit socialist, duke i thyer normat e kësaj metode, me fuqinë e fjalës, me lirizmin e tij, me frymëmarrjen e lirisë, që e bëjnë prozën e tij të pëlqyer dhe të lexueshëm dhe sot. Paraqitja e shkrimtarit Petro Marko me dy romanet e tij të parë Hasta la vista dhe Qyteti i fundit në vitet 60 është një kthesë e vërtetë në historikun e shkurtër të romanit shqiptar. Krahas kësaj prirjeje të brendshme që kanë të dy romanet e përmendur përballë veprave të të njëjtit zhanër të deriatëhershëm, këto vepra qëndronin superiore edhe si artikulim artistik. Dhe pikërisht për natyrën e risive, për natyrën që pretendon ndryshime të vërteta të vlerave letrare. të gjitha veprat e Petro Markos u pëlqyen dhe u kërkuan nga lexuesi. Faqet më të fuqishme të prozës së Petro Markos reflektojnë triumfin e dashurisë dhe të humanizmit njerëzor. Pas tërë atij ferri nëpër të cilin kalon njeriu në rrëfimin e Petro Markos, ai arrin të mbetet i pamposhtur nga mizoritë e botës. Këtë bërthamë të brendshme e rrezatojnë personazhet nga romanet e tij, këtë shkëlqim biblik reflekton Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar në tërë veprat e tij. Nuk ka shembull në letërsinë shqiptare, ku të jetë gërshetuar dhe njehsuar aq shumë mes vetes njeriu dhe krijuesi - Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar. Me romanet e tij Petro Marko hyri në personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare që sollën risi të vërteta në traditën letrare shqiptare. Tek vepra e tij rrezaton bindja dhe besimi i lindur për dashurinë dhe humanizmin njerëzor, ndonëse sa rrojti ishte ndër personalitetet më të persekutuara dhe më të munduara. Në vitin 2000, e shoqja Safo me të bijën Amantia, botojnë Retë dhe gurët - Intervistë me vetveten, autobiografik ku Petro Marko plak merr në pyetje një version më të ri të vetvetes; libër ky që i kishte mbetur dorëshkrim dhe e kishte dëshirë ta botonte. Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2003 dekoroi Petro Markon me Urdhrin Nderi i Kombit. Petro Marko lindi në fshatin Dhërmi të Himarës më 1913. U shkollua në vendlindje dhe në Vlorë. Pak kohë studioi në Athinë. Që kur ishte nxënës i shkollës tregtare në Vlorë (të cilën e kreu në vitin 1932, filloi të shkruajë poezi dhe proza të shkurtra). Deri në vitin 1936 ai punoi në Tiranë si gazetar dhe po atë vit, në moshën 23 vjeçare u nis vullnetar në Luftën e Spanjës, si luftëtar në brigadat internazionale. Pas Luftës së Spanjës, gjatë kthimit për në Shqipëri, ai do të ndeshet dhe do të marrë pjesë në shumë beteja antifashiste nëpër Evropë. Pas kthimit në Shqipëri në vitin 1940 do të burgoset nga italianët, që aso kohe e kishin pushtuar Shqipërinë, dhe do të përfundojë në kampin e ishullit Ustika afër Palermos. Në përfundim të Luftës Antifashiste në vitin 44, Petro Marko do të marrë pjesë në rradhët e partizanëve italianë, duke i rënë kryq e tërthor Italisë, si luftëtar dhe si komandant me përvojë luftarake. Kur kthehet në Shqipërinë e çliruar, ftohet që të qëndrojë në krye të gazetës Bashkimi në Tiranë, por shpejt do të përjetojë disa nga vitet më të rënda nëpër burgjet e shtetit shqiptar komunist, për të cilin Petro Markoja kishte luftuar nëpër Evropë dhe Shqipëri më se 10 vjet rrjesht. Në 27 dhjetor 1991 Petro Marko ndahet nga jeta dhe varroset sipas amanetit pa ceremoni./b.l/./a.g/
Posted on: Mon, 25 Nov 2013 13:54:05 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015