Sot në gazetën Repulika u botua Nga RAMAZAN ÇEKA Poet - TopicsExpress



          

Sot në gazetën Repulika u botua Nga RAMAZAN ÇEKA Poet popullor AHENGU SHKODRAN - KRYEVEPËR E TRASHËGIMISË SHPIRTËRORE Ky aktivitet i cili mori një cilësi dhe vlerë serioze nga Ministria e Kulturës, është aktiviteti i parë që nga shpallja e Ahengut shkodran si kryevepër e trashëgimisë shqiptare. Na kishte marrë malli të dëgjonim këngët popullore burimore të ahengut shkodran, se na shurdhuan veshët me tam-tamet e xhunglave. Në qytetin e Shkodrës nën kujdesin e Ministrisë së kulturës në bashkëpunim me qendrën kulturore Pjetër Gaci, u organizua një aktivitet kushtuar vlerave të Ahengut shkodran, i cili u nda në dy pjesë: Në një tryezë shkencore zhvilluar në sallën e Bibliotekës Marin Barleti dhe me një koncert me repertorin më të zgjedhur të Ahengut shkodran në mjediset e Muzeut Historik të Shkodrës. Kjo veprimtari u bë në kuadrin e strategjisë kulturore të Ministrisë së Kulturës dhe KKTSH, e cila në vitin 2010 përzgjodhi si kryevepra të trashëgimsë shpirtërore 7 prej tyre. Në Shkodër kjo veprimtari, e para e këtij lloji nga QKVF, u mendua të mbështetej në dy shtylla kryesore: “Ahengu” qytetar shkodran si tipologji krijuese, ndihmesa dhe mendimi shkencor rreth kësaj tipologjie dhe “Ahengu”, shkodran si produkt artistik i qarkulluar nëpërmjet interpretimit dhe ekzekutitmit muzikor. Në fjalën e hapjes së tryezës shkencore, në cilësinë e drejtuesit të këtyre veprimtarive të shumta në këto 8 vite Z.Esat Ruka, dha dy konsiderata rreth këtij fenomeni artistik të sipaktur. Ahengun” shkodran, tha ai në fjalën e tij, do ta quaja fëmijëria e krijimtarisë muzikore qytetare shqiptare, ku rrugëtmi rreth 300 vjeçar nga fillesa e tij, si një sinjal drite do të endej në këtë hapsirë gjeografike të lakmuar e të vlerësuar prej shumë vizitorësh, eksploruesish, prej shumë kronikanësh e studiuesish, dhe me shkëndijën e tij do të ndizte muzën e dhjetra krijuesve e qindra ekzekutuesve dhe insterpretuesve e miljona adhuruesve të muzikës. Por Ahengu shkodran nuk është vetëm fëmijëria e bukur dhe e brishtë e muzikimit të lirikave të dashurisë e të dasmës, të luleve e të shpirtit bohem, por edhe matrica e parë e modelit krijues në kështjellën e madhe të këngës qytetare shqiptare. Këtë e tregon më së miri përhapja në hapsirat gjithëshqiptare, prezenca e saj në evente artistike familjare shoqërore e zyrtare, ...Kjo sigurisht tashmë ka kapërcyer idetë e dikurshme përfshirë edhe ato të monizmit, se ahengu është produkt i të papunëve, pijetarëve a ahengxhinjëve. Ahengu shkodran (hengu, ehengu) është shtrati profesional i artit muzikor qytetar shkodran estetikisht dhe artistikisht në rrugëtimin e gjatë dhe të lavdishëm të tij. Futja në kalendarin e veprimtarive për vitin 2013, është vetëm prelud i një kujdesi shtetëror dhe vëmëndjeje profesionale, për ta ruajtur, mbrojtur e promovuar që meriton ky kumt specifik. Nga artistët popullorë shkodranë, janë ende shumë dorëshkrime e botime të paekspozuara e të panjohura lidhur me muzikën popullore shkodrane, të mbuluara nga pluhuri i harresës, por ende ruhet prushi i artit në rrethina apo në qytet. Ky aktivitet u organizua edhe në bashkëpunim me Bashkinë e qytetit të Shkodrës dhe atë të Gjakovës. Behar Arllati, studiues dhe kandidat për doktor në fushën e folklorit, nga Gjakova, në kumtesen që mbajti në këtë tryezë shkencore ndër të tjera tha: Dihet mirë se Shkodra dhe Gjakova përfaqësonin dy qendra ku ngjashmëritë midis tyre ashtu si dhe ndikimi i ndërsjelltë ishte më i theksuar në krahasim me qytetet e tjera. Madje historianët e cilësojnë të padrejtë ndarjen e tyre në dy shtete përmes një kufiri pasi këto qytete janë konsideruar si një ind i vetëm. Historiani i njohur Prof. Dr. Masar Rizvanolli shprehet se ndarja e shtetit shqiptar në vitin 1913, me çrast Shkodra i takoi Shqipërisë e Gjakova Jugosllavisë, përbën një prej ndarjeve më të rënda dhe më të dhimbshme. Qyteti i Gjakovës ka patur në të gjitha aspektet më shumë ngjashmëri me Shkodrën se sa me cilindo qytet tjetër të Kosovës. Kjo vlen dhe për fushën e muzikës, konkretisht Ahengut që kanë kultivuar me shekuj këto dy qytete. Qytetin dhe qytetarët e Gjakovës nuk i ka penguar aspak fakti se Shkodra ishte mbi 1500 vjet më e vjetër se Gjakova. Përkundrazi, gjakovarët kanë qenë aq të mençur sa të dijnë të marrin vlera pozitive nga një qytet shumë më me traditë. Edhe Gjakova ka marrë apo ka kopjuar nga Shkodra. Në këtë marrje që do preferoja ta quaj “kopjim” të traditës kulturore, kanë ndikuar lidhjet apo raportet e para tregtare dhe janë pikërisht këto raporte që kanë ndihmuar edhe në përhapjen e këngëve. Kështu, këngët si njësi folklorike kanë qarkulluar nga njëri qytet në tjetrin, duke bërë që foklori në këtë rast muzikor të mos mbetet pasiv. Me qarkullimin e këngëve, janë krijuar dhe variante të reja të tyre. Në këtë kontekst, qyteti i Gjakovës është një pikënisje e mrekullueshme për variantet e këngëve por dhe për ruajtjen e mënyrës së këndimit specifik origjinal të këtyre këngëve, gjë që s’ka qenë e mundur në periudha të caktuara as andej e këndej kufirit. Në këtë event ishin të ftuar edhe Artistët e merituar Bik Ndoja dhe Shyqyri Alushi, File Gjeloshi si dhe Drejtoresha e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe i studimit të artit (IAKSA), Miaser Dibra, e cila bëri një analizë shkencore jo vetëm të poetikës së ahengut, por edhe lidhjen dhe vazhdimsinë që kanë këngët e Ahengut shkodran me këngët e dasmave shkodrane në përgjithsi, duke theksuar fuqishëm që këngët e Ahengut nuk lindën si një vlerë artistike ashtu rastësisht, por ata mbështetjen kryesore e morën në odat e nuseve dhe në festimet që u bënin me ditë të tëra kur kishte festa të tilla siç ishte ceremoniali i dasmës, pasi siç dihet, këngët e dasmave janë më të vjetra se këngët e Ahengut. Në këtë tryezë shkencore një kumtesë shumë interesante mbajti edhe prof. Afërdita Onuzi, etnografe, e cila foli për elementet e spikatura të veshjeve popullore në këngët e Ahengut. Z.Admir Ballgjati, Dekani i Akademisë së Arteve në Shkodër, studiues dhe muzikolog, në referatin e tij i cili ishte tepër interesant, foli me detaje për Ahengu shkodran. Këtë dhuratë qiellore e përgatiti dhe e solli në oborrin e shtëpisë Oso Kuka grupi muzikor pranë qendrës së kulturës Pjetër Gaci, nën drejtimin e udhëheqësit artistik Bardhyl Hysa dhe drejtor organizator Reshat Zaganjori, me stafin e tyre të mrekullueshëm. Për këtë aktivitet udhëheqësi artistik Bardhyl Hysa tha: Kënga qytetare shkodrane është një thesar me vlera artistike kombëtare. Sa është e vështirë që të krijosh vlera artistike, po aq e vështirë është edhe për ti ruajtur këto vlera dhe për ti transmetuar ato brezave të ardhshëm pa i deformuar dhe denatyruar. Kjo ka qenë motoja e punës e imja si specialist i muzikës por edhe si përgjegjës muzike për disa vite me radhë në Qendrën e Kulturorës Pjetër Gaci Shkodër. Disa here jemi vlerësuar me çmime të ndryshme në evenimente dhe festival kombëtare dhe ndërkohë, këto suksese i kemi arritur duke gjetur mbështetjen dhe mirëkuptimin e artistëve shkodranë të vjetër dhe të rinj. Duhet theksuar se vetë populli dhe banorët e Shkodrës jo vetëm që e pëlqejnë këngën e tyre por dhe e ruajnë me fanatizëm origjinalitetin e këngës shkodrane pasi ajo është pjesë e identitetit të qënurit shkodran dhe shqiptar. Vë në dukje se nuk i kushtohet mbështetje dhe vëmendje e duhur nga organet kompetente për ruajtjen dhe transmetimin e kësaj vlere me të gjithë elementët e saj përbërës, dhe për këtë kërkohet që asnjëherë të mos tërhiqemi në ruajtje të kësaj vlerë që me të drejtë është shpallur kryevepër e trashëgëmisë shpirtërore”. Një vlerë e veçantë e këtij aktiviteti të bukur ishte edhe libreti i punuar me mjeshtri në mënyrë shkencore dhe poetike nga prof. Alfred Çapaliku, i cili nuk është hera e parë që reflekton për vlerat e këngës së Ahengut, por dhe të krijuesve shkodranë. Oborri ishte mbushur si rrallë herë me spektatorë artëdashës. Programin dolën për ta prezantuar moderatorët Astrit Fani dhe Gentiana Daka. Tingujt magjikë që vijnë nga kohët e vjetra në kohët e reja, zëri si bilbil, ligjërimë thëllanxe, themi kështu kur kalojmë pranë një ahengu apo kur jemi midis tij, por emrit aheng duhet ti shtojmë edhe mbiemrin shkodran, si vulë identiteti dhe si vlerë kombëtare, që ai të ndizet flakë dhe ne të na bëjë me krahë valltarësh dhe me zëra këngëtarësh. Ahengu është tërësia e këngëve dhe melodive shkodrane që këndohen dhe luhen në raste të lumtura. Nuk ka festë, dëfrime, fejesa, gëzime, pa ahengxhinj e pa aheng. Ahengu shkodran është argëtim me këngë popullore, ku koha ndalet dhe muzika sjell veç rininë e përqafuar me dashurinë. Ahengu është pjesa më e madhe e repertorit të muzikës popullore qytetare shkodrane. Aheng do të thotë: Ton, mod, mekame, akord, perde, muzikë, traditë, shpirt, art.... ku çdo melodi pikëllimin e çastit e kthen në hare. Dikur ahengxhijtë shkonin grumbull në dasma dhe instrumentave u binin ndenjur këmbëkryq mbi qilima e jastekë. I kanë quajtur amator se nuk kishin shkollë, por shpirti krijues dhe virtuoziteti i interpretimit të këngëve të ahengut sot është një pikë referimi për shumë këngëtarë profesionistë lirikë që debutojnë në skena të ndryshme edhe nëpër botë duke transmetuar një identitet të veçantë kulturor. Kënga popullore nuk njeh kufi. Edhe në kohërat më të errëta që u munduan të na ndanin, ishte kënga popullore dhe zëri i këngëtarëve si: Bik Ndoja, Shyqyri Alushi, File Gjeloshi, Ismet Peja e shumë këngëtarë të tjerë që mbajtën gjallë krenarinë e Shqipërisë nëpërmjet këngës. Zëri i tyre nuk njeh moshë, ata vazhdojnë të na dhurojnë këngë. Nga Gjakova ka ardhur për të respektuar ahengun shkodran në emër të gjithë artistëve kosovarë këngëtari i madh Ismet Peja i cili me një këngë të Qamilit të vogël befasoj gjithë të pranishmit me zërin e tij të dashur. Stafeta e interpretimit të këngës popullore vazhdon nga më të vjetrit te të rinjtë, dhe kështu ajo vazhdon të përcillet brez pas brezi dhe nuk humbet kurrë. Ahengu shkodran është repertor i hapur që nuk mbyllet asnjëherë. Me këngën popullore shkodrane u morën dhe profesionistë, poetë të mirëfilltë dhe kompozitor. Ja çfarë vargjesh bëri Zef Zorba për Syrin si qershija kompozuar nga i madhi Prenkë Jakova: Për Shkodren plakë burojnë agime të reja, me lule vila plot me drandofile, kullojnë si mjalta kangt nat dritë e hije, e nftyren tande o vashë, lulzon pranvera. Këtë këngë e interpretoi me mjeshtri Enriketa Kuqani e shoqëruar nga orkestrantët e talentuar që stafi realizues i kishte përzgjedhur. Në mesin e të pranishmëve ishte dhe legjenda e gjallë e thinjur mes këngësh, e që prap buron këngë: ku një dyshe krijuesish Paulin Shtjefni dhe Zef Çoba na dhuruan këngën: O shkodrani jonë Bik Ndoja. Me pjesëmarrjen e këngëtarëve dhe instrumentistëve më të mirë të qytetit të Shkodrës, me udhëheqës artistik Bardhyl Hysa, drejtues ork. Andi Unaza, libreti Alfred Çapaliku, koreograf Aldo Nika, kostumograf Angje Mraja, drejtor organizativ Reshat Zaganjori, skenarin e tekstit të paraqitjes muzikore të përgatitur nga prof. Alfred Çapaliku, plotësuar me repertor dhe tekste ilustruese Bardhyl Hysa, u përcollën emocione që spektatorët e pranishëm kishin kohë pa i shijuar këto vlera të interpretuara live dhe me mjeshtri me instromenta karakteristik popullor me zëra të mrekullueshëm të artistëve shkodranë e kombinuar me veshjet artistike në një mjedis tipik shkodran. Qendra Kulturore Pjetër Gaci, me ndihmën financiare që do të akordojë Bashkia e Shkodrës, në ditët në vazhdim do të organizojë në qytetin e Gjakovës një koncert me pjesë të zgjedhura nga Ahengu shkodran me pjesëmarrjen e këngëtarëve dhe instrumentistëve më të mirë të qytetit të Shkodrës, ku udhëheqës artistik do të jetë shefi i muzikës i qendrës kulturore “Pjetër Gaci”, Bardhyl Hysa. Përgatiti Ramazan Çeka Nëntor 2013
Posted on: Fri, 08 Nov 2013 18:57:29 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015