Çipsat nga Serbia futen me çmime dumping në Kosovë Telegrafi - TopicsExpress



          

Çipsat nga Serbia futen me çmime dumping në Kosovë Telegrafi Ekonomi : Konkurrenca në treg veç tjerash ka për qëllim kryesorë sigurimin e çmimeve të favorshme dhe reale për konsumatorë. Nga ana tjetër, firmat konkurrente tentojnë të mbulojnë me përqindje sa më të lartë që munden pjesën e tyre në treg. Por gjatë kësaj, në ekonominë e tregut janë të njohura edhe “lojëra” të ndryshme të cilat kanë për qëllim eliminimin e konkurrencës. Një të tillë “lojë të ndyrë”, është duke përjetuar edhe prodhuesi kryesor i çipsave në Kosovë “Pestova”. Pronari i fabrikës, Bedri Kosumi, për Ferma Ime, thotë se një prodhues nga Serbia, është duke u munduar ta nxjerrë nga loja me uljen artificiale të çmimeve. “Prodhuesi nga Serbia qe një kohë me ulje të çmimeve po mundohet të më shkaktojë dëme, me këtë edhe të dëmtojë edhe tregun e lirë. Nuk ka asgjë të keqe nëse ulen çmimet, por nëse bëhet kjo me qëllim të dëmtimit të konkurrencës, përkatësisht me qëllim të largimit nga tregu dhe krijimit të monopolit, atëherë kjo nuk është e lejuar sipas dispozitave ligjore”, tha Kosumi. Ai thotë se prodhuesi serb një kilogram të çipsave në vendin tonë ofron në shitje me çmimin prej 5 eurosh, përderisa sasia e njëjtë në Serbi shitet për 9 euro.“Ky fakt është i mjaftueshëm për të ngritur dyshime për qëllimin e konkurrentit serb”, tha Kosumi. Kurse, në Autoritetin Kosovar të Konkurrencës (AKK), thonë se deri tash nuk kanë pasur shumë raste të këtij lloji. Ushtruesi i detyrës së kryetarit, Ahmet Krasniqi, për Ferma ime tha se janë të gatshëm të pranojnë ankesa për çdo lloj tentimi të dëmtimit të konkurrencës së lirë. “Ne mund të hapim rastin për të hetuar nëse pala na drejtohet neve. Normalisht faktet janë të rëndësishme dhe do ta shqyrtonim”, deklaroi Krasniqi. Por ai vë në dukje se çfarëdo vendimi i Autoritetit të Konkurrencës nuk është i ekzekutueshëm, pa vendim edhe të Gjykatës. Në Kosovë ndërkaq, ekziston edhe ligji Anti-Dumping, i miratuar me qëllim të mbrojtjes së prodhuesve vendorë në raste të tilla të uljes drastike të çmimeve. Këshilltarja në Ministrisë e Tregtisë e Industrisë Arta Istrefi për Ferma Ime deklaroi se prodhuesit vendorë kur vërejnë raste të tilla, duhet t’i drejtohen Ministrisë së Tregtisë e Industrisë.“Pastaj, MTI-ja, përmes komisionit i cili është përgjegjës për zbatimin e Ligjit antidumping hulumton rastin dhe nëse vërtetohet se ekziston dumpingu atëherë ndërmerren hapa konkretë në drejtim të eliminimit të dumpingut”, ka thënë Istrefi. Nuk dihet se çfarë përqindje mbulon në tregun e Kosovës prodhuesi serb i çipsave por, Pestova, vlerësohet se ka rreth 32 për qind të tregut. Prodhuesi është kompania “Marbo” e cila prodhon disa lloje të çipsave me markën e tyre, si dhe prodhon çipsa për kompaninë më të njohur botërore “Pepsi”. Çipsat e Pepsi deri vonë kanë hyrë nga prodhuesit turq dhe grekë, por me hapjen e linjës së re në fabrikën e kompanisë serbe Marbo, tani më kryesisht hyjnë nga Serbia. Kjo linjë e re është hapur në vitin 2010 me një investim prej 20 milionë eurosh. /FermaIme/Telegrafi/
Posted on: Thu, 20 Jun 2013 13:05:00 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015